Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila u vra disa javë më parë ka njoftuar se i janë drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohen rreth rastit të motrës së tij.
Në një reagim në Facebook, ai ka thënë se janë të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar me ta.
“Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj. Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria.
Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve.
Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media.
Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, ka shkruar Ademaj.
Për vrasjen e Ademajt i dyshuari kryesor si porositës i vrasjes është bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ndërsa ekzekutuesi, Granit Plava.
Të dy ndodhen në paraburgim me vendim gjykate, ndërsa pranë tyre ndodhet dhe nipi i Murselit dhe një i katërt i përfshirë, për të cilin nuk janë dhënë detaje.
Leave a Reply