Olsi Ibro, i akuzuar si pjesë e mashtrimit me mikrokreditë, dyshohet se u vetëhodh ditën e sotme nga lartësia e pallatit në ndërtim e sipër në rrugën “Ramazan Shijaku” në afërsi të ish-stacionit të Trenit në kryeqytet.
45-vjeçari Olsi Ibro ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e dëmtimeve të marra.
Këto janë edhe pamjet pallati nga ku dyshohet se u vetëvra Olsi Ibro.
Emri i Olsi Ibros është përfshirë në dosjen e Prokurorisë së Tiranës për mashtrimet me mikrokreditë.
Një ditë më parë, organi hetues sekuestroi dy shoqëritë Micro Credit Albania dhe Final, të cilat akuzohen se kanë krijuar skema mashtrimi me mikrokreditë me qëllim zhvatjen e qytetarëve.
Micro Credit Albania është një institucion financiar jobankë i licencuar në vitin 2016 që drejtohej nga çifti Olsi dhe Elda Ibro, kjo e fundit shërbente edhe si administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albania).
Sipas Prokurorisë nga hetmet, ka rezultuar se këto dy shoqëri tregtare në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, por edhe me ndihmën e një eksperte vlerësuese, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.
Po ashtu, organi i akuzë sqaroi dje se shoqëritë dhe personat nën hetim në mënyrë abuzive kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve/debitorëve pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme.
Ata kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive.
“Si rrjedhojë shoqëritë MCA dhe Final kanë përfituar të ardhura dhe pasuri të paligjshme, të cilat ua kanë vjedhur dhe zhvatur qytetarëve, që përllogariten në 10-tra milion Euro sipas mënyrës së sipërcituar, para dhe prona të cilat i kanë investuar apo përdorur në aktivitete të tjera”, thuhet ne njoftim.
Deri tani për mashtrimin me mikrokreditë, gjykata në maj 2024 ka lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”: Elda Ibro, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi e Kejda Seferi, ndërsa në burg janë: Arben Meskuti, Aldo Daka, Albert Gega dhe Edmond Mato, në kërkim ende Alban Kote.
Në 30 maj 2024 Prokuroria e Tiranës sekuestroi afro 10 milionë euro në llogaritë bankare të dy shoqërive të mikrokreditit dhe të nëntë personave, administratorë dhe përmbarues nga institucione të mikrokrediti dhe disa shoqërive të përmbarimit.
Leave a Reply